Ateizmi ideologjik në Shqipërinë totalitare dhe zbatimi i tij

Ledio Hala (Lecturer for Albanian at the University of Regensburg)

Photo by Olivia Rosth, Unsplash

Ky punim është pjesë e monografisë sime “Censura e letërsisë së përkthyer në Shqipërinë totalitare: rasti Robinson Kruzo”, dhe synon që të shpalosë një ide të qartë se çfarë lloj ateizmi u instalua në Shqipërinë totalitare dhe si u implementua ai. Kësisoj, fillimisht do të bëjmë një dallim mes ateizmit ideologjik dhe atij perëndimor, bazuar në klasifikimin e William van den Bercken. Në vijim, do të japim një panoramë të përgjithshme se si ateizmi ideologjik shkatërroi gjithë kujtesën materiale dhe shpirtërore të Shqipërisë. Në fund, do të bëjmë një përsiatje me ish-Bashkimin Sovjetik, për të kuptuar se pse ateizmi i instaluar në Shqipëri ishte unik.

This paper is part of my monograph ``Censorship of Translated Literature in Totalitarian Albania`` and aims first to give a clear idea of the type of atheism that was established in totalitarian Albania and how was it implemented. Thus, a distinction is first made between ideological and Western (or theoretical) atheism based on the classification made by the researcher William van den Bercken. Then, a complete overview of how ideological atheism destroyed the entire material and spiritual memory of Albania is given. At the end, an analogy with the former Soviet Union is made and the conclusion is drawn as to what makes the atheism promulgated in totalitarian Albania unique.

Shpalljes së ateizmit ase ndalimit të fesë në Shqipëri i referohemi shpeshherë e në kontekste të ndryshme, e kësisoj për të qartësuar që në fillim se pse ndalimi i fesë në Shqipëri solli edhe censurë të shtresës religjioze në letërsi, duhet, më së pari, të sqarohet se çfarë lloj ateizmi ndiqte Shqipëria. Në Shqipëri, qysh në krye të herës, u planifikua dhe u vendos një ateizëm ideologjik, pak a shumë i njëjtë me atë të ish-Bashkimit Sovjetik. Në vëllimin e tij “Ideology and Atheism in the Soviet Union” William van den Bercken bën një dallim të qenësishëm mes ateizmit perëndimor (ose borgjez) dhe ateizmit ideologjik. Përmbledhur thukët, në ateizmin ideologjik religjioni perceptohet si një „trup i huaj“ që e vendos Zotin mbi shtetin, dhe vendosja e ateizmit në këtë rast ka si synim jo vetëm depersonalizimin e individit, por edhe krijimin e një kulture të re shpirtërore socialiste racionale. Ndërkohë që ateizmi perëndimor përfaqëson një mohim teorik të Zotit të bazuar në filozofi, duke përfshirë rryma si racionalizmi i shek. XVIII apo si pozitivizmi logjik dhe ekzistencializmi i shek. XX, ateizmi ideologjik jo vetëm që mohon Zotin, por lufton kundër vetë idesë së ekzistencës së Zotit përmes mekanizmave politikë shtetërorë, duke marrë formën e anti-teizmit.  Ky ateizëm ideologjik i Enver Hoxhës (njësoj si i Leninit) ishte pothuajse i bazuar në ateizmin marksist, por ndryshon thelbësisht nga ai në faktin që Marksi e mendonte si humbje kohe një sulm politik ndaj religjionit, duke e trajtuar si të tejkaluar teorikisht dhe duke shprehur bindjen se në shoqërinë komuniste nuk do të ekzistojë as ateizmi vetë, pra, do të krijohet një gjendje e tillë mendore, ku pyetja e ekzistencës apo mosekzistencës së Zotit nuk do të ndodhë më fare. Përkundrazi, Enver Hoxha (ashtu si Lenini) nuk e shfaqte këtë tolerancë të Marksit për të mos e sulmuar politikisht religjionin, e madje e shihte luftën ndaj fesë si shumë të nevojshme. Në letrën e tij “Mbi luftën kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare” të botuar në 27 shkurt 1967 (mbajtur si fjalim në 6 shkurt 1967), që ua drejton komiteteve të partisë të rretheve ai shkruan:

“Feja është opium për popujt. Duhet të bëjmë çmos që këtë të vërtetë të madhe ta kuptojë çdo njeri, edhe ata që janë të helmatisur ( e që nuk janë pak) duhet t’i shërojmë. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur. Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit apo të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium, ose feja dhe praktikat e saja ruajnë qenien e tyre vetëm te plakat dhe te pleqtë. Kjo nuk është e saktë; ato mund ta humbasin virulencën e tyre, vetëm në rast se i luftojmë e i demaskojmë, kurse ringjallen, propagandohen e zgjerohen në rast se i nënvleftësojmë”.

Photo by Olivia Rosth, Unsplash

Në vetëm 6 muaj pas këtij fjalimi, është e paimagjinueshme ndërhyrja e mekanizmave shtetërorë dhe “rezultatet” që u arritën si rrjedhojë e kësaj ndërhyrjeje. Këto “rezultate”, sekretari i asokohshëm i Komitetit Qendror, Hysni Kapo, i rendit në raportin e tij (dhe të sektorit të edukimit) me titull “Mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj”, dërguar ministrit të asokohshëm të Edukimit, Thoma Delianës, në datën 11 korrik 1967. Nga raporti i gjatë e i detajuar prej 22 faqesh po përmbledhim më poshtë këto nisma e veprime nga ana e shtetit diktatorial:

  1. mbyllja e 2169 objekteve fetare (që për ideologjinë enveriste quheshin “vatra të ideologjisë fetare”), nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike si dhe 530 teqe, tyrbe e mekame, duke marrë njëkohësisht edhe gjithë pasurinë e tyre;
  2. degdisja nëpër kooperativa bujqësore e nëpër ndërmarrje e atyre klerikëve që bënë kompromis, për të mos u torturuar në kampe pune a për të mos patur një fund të tmerrshëm, e cila në raport interpretohet si “akt patriotik i klerikëve që janë të lidhur ngushtë me partinë”. Sigurisht nuk mund të gjenin vend në këtë raport torturat dhe vrasjet kriminale makabre bërë etërve françeskanë;
  3. atyre klerikëve që nuk bindeshin u gjenin ndonjë “veprimtari armiqësore” edhe po të mos e kishin. Psh. në raport shikohet si veprim me karakter politik fakti që priftit të Kaçinarit në Rrëshen i ishte gjetur një fotografi e mbretit Zog;
  4. në të njëjtën kohë luftohej edhe me familjen si institucion. U kërkua dorëzimi nga familjet i librave fetarë, ikonave, pra e çdo gjëje religjioze, si dhe u hartuan e u zbatuan plane se si festat religjioze të zëvendësoheshin me festa socialiste. Për këtë çështje ka, gjithashtu, një raport të gjatë të 30 majit 1967 të titulluar “Mbi zëvendësimin e praktikave dhe zakoneve fetare të jetës së përditshme të njerëzve me ceremoni dhe festa socialiste”. Këtu flitet edhe për luftë ndaj “zakoneve të prapambetura”, si psh. ceremonitë mortore dhe martesat që organizoheshin në kisha e xhamia, larja e të vdekurit, festat me rastin e rrethprerjes, etj;
  5. shtypi luante një rol shumë të rëndësishëm, sepse ishte mjet i fuqishëm propagande. U hodh në qarkullim një literaturë e larmishme antifetare;
  6. propozohet edhe edukimi me propagandë antifetare nëpër shkolla, si dhe hidhet ideja se edhe në institute të tilla si ai i folklorit, historisë apo gjuhësisë mund të bëhen studime në përputhje me ideologjinë antifetare.

Në vitin 1968 do të hartohen përsëri plane për thellimin e mëtejshëm të luftës ndaj fesë, pjesa më e madhe e të cilave fatkeqësisht gjeti zbatim. Një shembull është një projektvendim i Komitetit të Partisë së rrethit Lezhë me titull “Mbi thellimin e mëtejshëm të luftës kundra fesë”. Nëse në vitin 1967 objektet fetare u mbyllën, në këtë projekt të 1968-ës vendoset që një pjesë e tyre të kryejnë funksione të tjera “sipas nevojave të popullit” dhe një pjesë e tyre të shemben a shkatërrohen. Shumë interesante është edhe se si, krahas fesë, luftohej edhe trashëgimia jonë letrare gojore, ajo popullore, si dhe toponimia. Kësisoj, kërkohet luftë ndaj gjithë atyre individëve që transmetojnë përralla, legjenda me përmbajtje fetare, si dhe që përdorin urime, mallkime që kanë lidhje me fjalën “Zot”, e gjithashtu kërkohet identifikimi dhe zëvendësimi i gjithë emrave me përmbajtje fetare të maleve, fushave, fshatrave apo lagjeve. Natyrshëm kërkohet edhe të studiohen (sidomos në fshatra) emrat e përveçëm të njerëzve (antroponimet) nëse kanë lidhje me fenë, dhe të përpilohet një listë me emra të rinj me burim jofetar.

I vetmi dallim midis dy sistemeve ateiste, atij sovjetik dhe shqiptar, është fakti që në Bashkimin Sovjetik, pavarësisht se pati një ndarje kushtetuese mes shtetit dhe kishës, në njëfarë mënyre kishte liri besimi, ndonëse të kontrolluar; ndërsa në Shqipëri ndodhi ndalimi i çdo lloj praktike fetare, duke i dhënë kësisoj statusin e një ateizmi ideologjik unik në botë. Përndryshe, sistemet ngjasojnë shumë, sidomos edhe në organizimin e literaturës shkencore ateiste dhe shpërndarjen e tyre në shkolla.

E gjitha kjo krijoi në fakt një religjion të ri, besimin te Partia dhe tek Udhëheqësi si autoriteti më i lartë dhe i pakundërshtueshëm. Ide përkatëse fetare si vëllazëria e bashkësia apo uniteti mes njerëzve, sollën dukurinë “shok” dhe “shoqe”, dhe arritën të krijojnë një shoqëri që jetonte me iluzionin e harmonisë, në një sistem gjakpirës që zgjati plot 45 vite.

Further Literature:

Bibla e Studimit: Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, Shoqëria Biblike Shqiptare, 2009.

Ermolaev, Herman, Censorship in Soviet Literature (1917-1991), Rowman& Littlefield publishers, INC., USA, 1997.

Friedberg, Maurice, A decade of Euphoria (western literature in post-Stalin Russia, 1954-64), Indiana University Press, London, 1977.

Pasthënia e Ardian Klosit në: Böll, Heinrich, Me syrin e një klouni (përkthim dhe pasthënie nga Ardian Klosi), Dudaj, Tiranë, 2016.

Raščiūtė, Beatričė, Context and ideology: the representation in Daniel Defoe’s Robinson Crusoe and its translation into Lithuanian, Master thesis, Vytautas Magnus University, Kaunas, Lithuania, 2017.

Sherry, Samantha, Discourses of regulation and Resistance: Censoring Translation in the Stalin and Khrushchev Era Soviet Union, Edinburgh University Press, Edinburg, 2015.

Solzhenitsyn, Alexander, Interview with two western correspondents (përkthyer nga Michael Scammell në anglisht). https://journals.sagepub.com/doi/pdf/10.1080/03064227308532267

Stipçeviq, Aleksandër, Censori i përsosur (ose doracak praktik i luftës kundër librave të dëmshëm dhe autorëve të tyre), Era, Prishtinë, 2002.

Van den Bercken, William, Ideology and atheism in the Soviet Union, Mouton de Gruyter, Berlin, 1989.

Vehbiu, Ardian, Gjuha e thyer, gjuha që thyen, Botime Çabej, Tiranë.

GDPR Cookie Consent with Real Cookie Banner